TIRANË — I lodhur nga turnet sfilitëse, pacientët që kurohen me këshilla nga ChatGPT dhe mungesa kronike e dorezave sterile, Taulant Konispoli, mjek me 15 vite eksperiencë në QSUT, u ka bërë thirrje të hapur elitave sekrete botërore që ta rekrutojnë sa më parë.
“Lexoj çdo ditë komente nëpër rrjete sociale që thonë se ne paguhemi me miliona euro nga Soros dhe Bill Gates për t’u futur njerëzve çipa 5G nëpërmjet vaksinave apo për t’i kthyer në majmunë skllevër,” deklaroi Dr. Taulanti duke turfulluar. “Ndërkohë unë kam 3 muaj që ha vetëm byrekë me gjizë për drekë për të kursyer lekë për naftën. Ju lutem, nëse ka vërtet një komplot për të kontrolluar njerëzimin me Bluetooth, a mund të më nisni një email, që të bashkëpunojmë? Të paktën të ma paguajë Iluminati kredinë e shtëpisë, sepse me rrogën e shtetit nuk po ia dal dot!”
Mjeku thekson se jeta e tij profesionale nuk i ngjan fare asaj që përshkruajnë militantët anti-vaksinë. Në imagjinatën e tyre, ai merr pjesë në takime të fshehta në bunkerët e Zvicrës, ku vendos për fatet e botës duke pirë shampanjë. Në realitet, ai kalon 14 orë në ditë duke u përpjekur të bindë xha Isën nga Kamza se jakia nuk zëvendëson allçinë për krahun e thyer.
“Unë iu futa mjekësisë se doja të shpëtoja jetë, por sinqerisht në këto kushte nuk punohet.” shtoi ai. “Në këtë pikë, do e pranoja me kënaqësi të isha shërbëtor i hardhucave aliene që nuk kanë mënyrë tjetër si të na kontrollojnë përveç teknologjisë mRNA.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.