/ Kronikë

Portali krenar që preku fundin etik dhe njerëzor para gjithë portaleve të tjerë

|Nga: Redaksia Lemza
Portali krenar që preku fundin etik dhe njerëzor para gjithë portaleve të tjerë

TIRANË — Pas arritjes historike gazetareske mbrëmjen e djeshme, në redaksinë e portalit famëmadh predha.al mbizotëron entuziazmi dhe euforia e suksesit. Ata ia dolën të prekin fundin etik dhe njerëzor 2 minuta para gjithë mediave të tjera, duke transmetuar pa filtra videon traumatizuese të një aksidenti fatal.

Për kryeredaktorin e portalit, Kiko Janina, kjo fitore nuk erdhi rastësisht, por ishte fryt i një pune të palodhur disa vjeçare për të çrrënjosur me sukses çdo mbetje të fundit të ndjeshmërisë njerëzore që kishite mbetur në redaksi.

Ai falënderoi në mënyrë të veçantë montazhierin e turnit të dytë, i cili mori vendimin e guximshëm për të mos humbur asnjë sekondë me programe editimi apo me reflektime morale.

Sipas Janinës, lajmi bashkangjitur me videon makabre ka thyer çdo rekord klikimesh. Pavarësisht se mbi 95% e komenteve mallkonin portalin me sharje rrëqethëse, ai theksoi se algoritmit të Facebook-ut nuk i intereson fare morali.

“Nuk mund t’ia fshehim publikut të vërtetën. Publiku ka të drejtë të traumatizohet brutalisht duke parë çdo detaj me rezolucion të lartë, dhe për këtë jam krenar që ne ishim të parët që e realizuam,” u shpreh Kiko Janina.

Edhe pse kanë humbur këtë betejë, portalet e tjera nuk janë dorëzuar dhe shprehen të gatshme të sakrifikojnë çdo lloj grimce njerzillëku që me tragjedinë e parë të radhës.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon