/ Kronikë

Gjellëtorja në Librazhd vatër e dredhive të paimagjinueshme makiavelike

|Nga: Redaksia Lemza
Gjellëtorja në Librazhd vatër e dredhive të paimagjinueshme makiavelike

LIBRAZHD – Duke raportuar nga një gjellëtore në anë të aksit kombëtar Elbasan-Librazhd, gazetari i Lemzës, Ylli Dauti, ka zbuluar se stafi i këtij lokali është i ndarë në fraksione të rrezikshme, të cilat përdorin taktika makiavelike për të sabotuar njëri-tjetrin, për të kontrolluar pronarin dhe për të dominuar hierarkinë e tasqebapit.

Në këtë ekosistem, buzëqeshja e kamerierit dhe dashamirësia e kuzhinierit janë thjesht maska diplomatike që fshehin dhelpëri  rrëqethëse.

Gjithçka nis nga rregulli i pashkruar i gjellëtores: Asnjëherë nuk ka mjaftueshëm lëng mishi për të gjithë. Kjo mungesë e burimeve i ekspozon kamerierët ndaj kritikave të klientëve, duke i shtyrë më pas që ata të hakmerren ndaj kuzhinierit.

“Sot isha dëshmitar i një komploti të mirëfilltë,” raporton i dërguari ynë. “Kamerieri i vonoi qëllimisht dy porosi me paçe koke. Kur klienti u ankua se paçja kishte zënë cipë, kamerieri ia ktheu klientit me zë të lartë: ‘Ç’të bëj unë xhaxhi, shefi rri në telefon gjithë kohës, po i nxjerr porositë të ftohta’.”

Sipas Ylli Dautit, ky është vetëm një shembull. Çdo gjest, çdo fjalë mund të jetë pjesë e një makinacioni të fshehtë që synon dobësimin e kundërshtarit dhe mashtrimin e pronarit, i cili mendon se ka situatën nën kontroll, por është thjesht një kukull.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon