/ Sociale

Këngët në radio i kujtojnë kohët kur nafta ishte e lirë

|Nga: Redaksia Lemza
Këngët në radio i kujtojnë kohët kur nafta ishte e lirë

DURRËS — Për 38-vjeçarin Gerti Osnati, rruga me makinë nga shtëpia në zyrë, dhe anasjelltas, është kthyer në një torturë të përditshme. 

Ndërkohë që bashkëmoshatarët e tij ndiejnë nostalgji për vitet e rinisë apo ish-të dashurat kur dëgjojnë hitet e vjetra verore në radio, Gerti përballet me një tjetër lloj dhembke. Çdo këngë pop i kujton kohët kur hidrokarburet ishin lehtësisht të përballueshme.

Mbështetur në timonin e Golf-it, me sytë e përlotur, Gerti rrëfen se truri i tij nuk e lidh më muzikën me emocionet njerëzore por me grafikun e rritjes së çmimit të naftës dekadën e fundit.

“Dje në mëngjes, radioja dha këngën ‘Të ka lali shpirt’. U mbusha me lot sepse mu kujtua që atë verë bëra rrugë vajtje-ardhje në Vlorë me 5 mijë lekë,” rrëfen ai.

Për të mbrojtur veten nga nostalgji të tilla vrastare, ai ka marrë vendimin drastik të çmontojë radion nga makina dhe të çinstalojë Spotify nga telefoni.

Tashmë, kur udhëton në trafikun e rënduar të qytetit, Gerti e kalon kohën duke dëgjuar kërcitjet e rripit të fazës dhe klithjen e ferrotave të djegura.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon