/ Kronikë
/ Shëndeti

AKU: Janë bllokuar qindra kg mish zyrtarësh të paaftë

|Nga: Redaksia Lemza
AKU: Janë bllokuar qindra kg mish zyrtarësh të paaftë

TIRANË — Pas skandalit të djeshëm, ku 56 kadetë të Akademisë së Policisë përfunduan në QSUT me të vjella dhe diarre, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërmori një fushatë kontrollesh emergjente për të gjetur burimin e këtij helmimi në masë.

Gjatë ndërhyrjes nëpër zyrat e administratës publike, AKU sekuestroi me sukses mbi 950 kilogramë mish zyrtarësh të paaftë, të cilët kishin skaduar me kohë por po mbaheshin ende në temperaturë ambienti nëpër karrige lëkure.

Inspektorët shpjeguan se aroma karakteristike e parazitizmit i drejtoi drejt e në katet e sipërme të institucioneve shtetërore. Aty gjetën dhjetëra zyrtarë, nga shefa sektorësh te specialistë të thjeshtë, që thereshin, përpunoheshin dhe ruheshin në kushte të papërshtatshme higjienike.

Sipas raportit zyrtar të AKU-t, këto kërma burokratike jo vetëm që e kishte kaluar me kohë datën e skadencës, por kishin filluar të lëshonin edhe një erë të rëndë kalbësie.

“Ne jemi mësuar të bllokojmë mish viçi nga Brazili apo suxhuk me salmonelë, por ky ishte rrezik i një niveli tjetër,” deklaroi kryeinspektori i operacionit teksa vendoste shiritin “Bllokuar” në ballin e një zyrtari. “Kur bëmë analizat e mishit të tyre, rezultatet ishin alarmante. Po t’i afrohet qytetari këtij mishi për të marrë një firmë, rrezikon helmim. Për ta ngrënë s’bëhet fjalë.”

AKU njoftoi se i gjithë mishi i sekuestruar i zyrtarëve duhet të largohet menjëherë nga kontaktet me qytetarët. Megjithatë, asgjësimi i tij ka rezultuar një sfidë më vete, duke qenë se, ndryshe nga mishi i pulës apo i derrit, mishi i zyrtarëve sjell qindra mijëra vota gjatë zgjedhjeve politike.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon