/ Kronikë

Biznesmeni shijon natën e fundit të tradhtisë para se të divorcohet

|Nga: Redaksia Lemza
Biznesmeni shijon natën e fundit të tradhtisë para se të divorcohet

TIRANË — Ndërsa Gjykata e Tiranës përgatitet të vulosë divorcin e tij me bashkëshorten prej 20 vitesh nesër në orën 09:30, biznesmeni 45-vjeçar në sektorin e ndërtimit, Artan Krisma, po e kalon mbrëmjen e sotme mes lotëve dhe nostalgjisë në një dhomë hoteli në autostradë. 

Për herë të parë pas 6 vitesh jetë të dyfishtë, Artani qan për fundin e adrenalinës që i jepte tradhtia bashkëshortore.

Sipas biznesmenit, kjo natë e fundit ka një shije tepër të hidhur, pasi të qenit beqar heq gjithë lezetin marrëdhënies së tij paralele.

“A e kuptoni dot boshllëkun tim?” shprehet Artani. “Nesër, unë mund t’i dërgoj të dashurës mesazh në mes të ditës dhe nuk kam pse ta fshij historikun e bisedave. Nesër nuk do më duhet të fshij parfumin e saj nga xhaketa me peceta të lagura. S’është kollaj t’i lësh gjithë këto reflekse. Tradhtia kërkonte planifikim prej sociopati, ndihesha si agjent sekret. Po nesër çfarë do bëhet me mua? Do jem një beqar dosido që shkon në TEG të dielave.”

Një nga momentet më të vështira për Artanin këtë javë ka qenë fshirja e nofkave të fshehta nga lista e kontakteve. Ai e kujton me mall periudhën e artë kur të dashurën e kishte regjistruar në telefon me emrin “Agroni Vinçi” ose “Muli Magazina”.

Por, me sa duket pezmi ka kapluar dhe të dashurën e tij, një 28-vjeçare nga Spilleja, e cila ndihet gjithashtu e zhgënjyer nga e ardhmja e tyre. Ajo pranon privatisht se gjysma e tërheqjes fatale ishte rreziku i vazhdueshëm që gruaja e tij mund të hapte derën e hotelit nga çasti në çast dhe do t’i zhdëpte të dy në dru. Tani që ata do të jenë një çift normal, pa pengesa dhe pa drama, ajo po mendon seriozisht ta lërë Artanin për një burrë tjetër, mundësisht të martuar, për të rikthyer shkëndijën e rrezikut në jetën e saj.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon