/ Politikë

Papa Leoni bekon Veliajn

|Nga: Redaksia Lemza
Papa Leoni bekon Veliajn

TIRANË — Skenat me aktorë të përlotur dhe artistë të popullit që bëjnë kordon mbrojtës para dyerve të institucioneve të drejtësisë, ishin thjesht nxemja. Në një zhvillim që ka lënë pa fjalë analistët politikë dhe kalimtarët e rastit, vetë Papa Leoni ka mbërritur me urgjencë nga Vatikani për t’i shprehur mbështetjen e tij supreme kryebashkiakut.

Sipas dëshmitarëve okularë, Ati i Shenjtë çau me nxitim mes turmës së aktorëve që po recitonin vargje heroike, i ra në gjunjë kryebashkiakut dhe i puthi këmbët.

Në një fjalim të shkurtër por tepër emocional, Papa Leoni shpjegoi arsyen e kësaj vizite të jashtëzakonshme, duke theksuar se institucionet po bëjnë një gabim fatal.

“Në Vatikan ne kemi një copë kapelë sistinë, por ju në Tiranë keni pyllin orbital,” u shpreh Papa, duke fshirë sytë me cepin e mantelit të tij të bardhë. “E gjitha falë këtij njeriu që po dënohet padrejtësisht. Vatikani nuk mund të mbetet mbrapa në shprehjen e dashurisë ndaj tij.”

Megjithatë, prania e Papës ka shkaktuar jo pak xhelozi në radhët e artistëve. Ata ishin zgjuar që në orën 6 të mëngjesit për të zënë radhën te shkallët dhe kishin bërë prova para pasqyrës për të gjetur këndin e duhur të dëshpërimit për kamerat. Disa nga yjet e teatrit dhe kinematografisë u ankuan se akti i rënies në gjunjë i Papës ishte aktrim i ekzagjeruar dhe nuk e ndihmon aspak kauzën.

Raportohet se Papa Leoni u largua i përlotur drejt Rinasit, duke u zotuar se sapo të kthehej në Romë, do të jepte urdhër që Sheshi i Shën Pjetrit të shtrohej me pllaka nga Skrapari.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon