TIRANË — Kuvendi i Shqipërisë ka surprizuar sërish qytetarët me një tjetër amendament drastik në Kodin Rrugor. Çdo drejtues mjeti që ka më pak se dy vite eksperiencë, nuk mund të lëvizë pas mesnate pa pasur në ndenjësen e parë të pasagjerit pilotin e Ferrarit në Formula 1, Charles Leclerc.
“Zoti Leclerc ka treguar reflekse të shkëlqyera në kushte ekstreme,” u shpreh një nga hartuesit e ligjit. “Ai është i vetmi njeri në planet që mund të udhëzojë një 18-vjeçar të frustruar seksualisht nëpër rrugët e Shqipërisë.”
Ky ligj i ri ka shkaktuar kaos në kalendarin ndërkombëtar të Formula 1. Menaxherët e skuderisë Ferrari janë shprehur të dëshpëruar, pasi piloti i tyre kryesor tani duhet të kalojë netët e fundjavës duke shoqëruar të rinjtë shqiptarë drejt klubeve të natës në Tiranë.
Për të rinjtë shqiptarë, ky ligj e ka bërë jetën e natës praktikisht të pamundur.
“Desha të dilja të premten me shoqen për një xhiro nga Blloku, por kur hapa aplikacionin e-Albania për të rezervuar Charles Leclerc, pashë që ishte i zënë,” ankohet Klajdi, maturant. “Më doli radha për të premten e dytë të nëntorit të vitit 2027, dhe atëherë e ka me kusht që të dëgjojmë vetëm muzikë italiane në kasetofon.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.