TIRANË — Pas javësh të tëra marshimesh, fjalimesh të zjarrta dhe përplasjesh me policinë, opozita shqiptare ka shënuar më në fund një fitore triumfale. Gjatë protestës së sotme, molotovi arriti të ndalojë një sherr të përgjakshëm territorial mes dy maçokëve të rrugës.
Burimet nga vendngjarja raportojnë se sherri mes maçokëve kishte të paktën 15 minuta që po terrorizonte qytetarët me ulërima që të ngrenë qimet përpjetë. Megjithatë, gjithçka mori fund falë ndërhyrjes së vendosur të turmës opozitare.
Fill pasi maçokët u trembën nga molotovi dhe ia mbathën në drejtime të kundërta, krerët e protestës e ndalën marshimin dhe mbajtën një konferencë për shtyp, për të shpallur fitoren.
“Ata na thanë se revolucioni ynë nuk do të prodhonte asnjë rezultat! Na thanë se jemi pak dhe të pafuqishëm,” ulëriti në megafon një nga opozitarët. “Por sot, ne demonstruam forcën tonë të vërtetë! Ne ndalëm gjakderdhjen feline në rrugët e Tiranës.”
Në fund të marshimit, lidershipi i opozitës njoftoi se do t’i dërgojë një raport të detajuar Parlamentit Evropian dhe ambasadave të huaja, duke e përdorur këtë sukses si provë të pakundërshtueshme të aftësisë së tyre për të hedhur poshtë qeverinë e korruptuar dhe për t’i dhënë Shqipërisë dinjitetin që i mungon.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.