/ Sociale

E fundit / Pilafi mban edhe pak ujë

|Nga: Redaksia Lemza
E fundit / Pilafi mban edhe pak ujë

TIRANË — Pas shekujsh të tërë paniku kombëtar dhe deklaratash të përditshme se “nuk mban më ujë pilafi”, një raport i publikuar sot nga Enti Rregullator i Orizit del në përfundimin se situata është kritike, por pilafi mban edhe pak ujë.

Përmes një komunikimi zyrtar për mediat, ekspertët theksuan se nuk kemi pse të dorëzohemi përballë metaforave apokaliptike, pasi matjet më të fundit në terren tregojnë se ka ende një hapësirë mikroskopike të pashfrytëzuar.

Sipas raportit të detajuar, inxhinierët kanë analizuar tensionin sipërfaqësor të tenxheres kombëtare. Të dhënat tregojnë se megjithëse kokrrat e orizit janë bymyer sipas nevojës, pilafi ende nuk është prishur përfundimisht.

“Kemi kryer simulime kompjuterike të avancuara,” raportoi kryeinxhinieri i ERO, Albion Zanamali. “Njerëzit nxitohen kur thonë që nuk mban më ujë. Llogaritjet tona termodinamike tregojnë se, me pak kujdes, pilafi i kombit mund të përthithë afro 12 deri në 14 ml ujë shtesë. Është marzh tepër i vogël, por ekziston. Thënë ndryshe: jemi buzë  greminës, por s’kemi rënë ende.”

Ky raportim i minutës së fundit është pritur me interes të lartë në zyrat e shtetit. Me të marrë vesh se pilafi ka akoma një tolerancë të vogël para se të qulloset pa kthim, raportohet se Këshilli i Ministrave është mbledhur me urgjencë për të vendosur se si do të shfrytëzohet ky kapacitet i mbetur. Sipas burimeve, rritja e mëtejshme e çmimit të naftës është opsioni më i favorshëm.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon