TIRANË — KM Edi Rama ka bërë sot një deklaratë tronditëse, duke eklipsuar çdo zhvillim tjetër politik në Bruksel. Ndërsa shtetet e tjera të BE-së po stërmundohen me prokurimet e mërzitshme “publike” për rrugë, shkolla dhe ura, KM njoftoi se qeveria shqiptare e ka hequr përfundimisht germën “L” nga fjalori, duke u fokusuar ekskluzivisht te “prokurimet pubike”.
Kreu i qeverisë theksoi se buxheti i shtetit ka pësuar një riorientim strategjik drejt estetikës intime të kombit, duke e shpallur Shqipërinë zyrtarisht shtetin me administratën më të lëmuar në të gjithë hemisferën veriore.
Gjatë fjalës së tij para partnerëve ndërkombëtarë, KM e bëri të qartë se Shqipëria ka vendosur një standard të ri higjieno-shtetëror. Por ajo që i la pa fjalë diplomatët e huaj, ishte përshkrimi i detajuar i prapambetjes së Gjermanisë në këtë sektor jetik.
“Ata në Gjermani mendojnë se janë modernë, por në fakt janë dekada mbrapa nesh! Përdorin akoma briskun,” deklaroi KM me mburrje. “Ne e kemi digjitalizuar plotësisht mirëmbajtjen e trupit të administratës! Kemi kaluar në epokën e lazerit me diodë të ftohtë kontrolluar nga vetë Diella!”
Sipas tij, ndërkohë që administrata gjermane lahet me ujë të ftohtë dhe pret radhën për të përdorur briskun shtetëror, Shqipëria e ka digjitalizuar plotësisht mirëmbajtjen e trupit të administratës, duke i shpëtuar përgjithmonë nga tortura gjermane e briskut.
“Jemi kampionë në Evropë,” u shpreh më tej KM. “Çdo por i administratës është i lëmuar dhe pa asnjë qime. Kompanitë janë të certifikuara nga BE-ja për mospërdorimin e kimikateve që shkaktojnë skuqje dhe irritim të zyrtarëve tanë të lartë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.