TIRANË — Komuniteti artistik dhe familjar shqiptar po përjeton sot një tjetër padrejtësi të fëlliqur nga ndërkombëtarët. Pavarësisht një performance vokale të fuqishme dhe emocionuese, gërhitja e babit në divan teksa po “ndiqte” gjysmëfinalen e Eurovizionit mbrëmjen e djeshme, është skualifikuar padrejtësisht nga gara.
Sipas analistëve të shtëpisë, 62-vjeçari Mujo Peçi u pozicionua në divan që në orën 20:45 duke premtuar se “këtë vit do ta shohim festivalin deri në fund”. Por, rreth minutës së tretë të këngës së parë, ai ra në një gjendje kome të thellë. Për dy orë e gjysmë rresht, Mujo dhuroi një spektakël zanor live nga dhoma e ndenjes që rivalizonte çdo baladë apo pop skandinav. Megjithatë, juria evropiane e injoroi këtë kryevepër.
Sa herë që e bija tentonte t’i merrte pultin e televizorit nga dora, ai riaktivizohej për një fraksion sekonde duke u justifikuar: “Lëre pultin aty se po e dëgjoj! Nuk më ka zënë gjumi, thjesht po pushoj pak sytë se më vret drita e televizorit.”
“Ishte një performancë e jashtëzakonshme,” thotë e bija. “Brenda 30 sekondave, babi arriti atë që këngëtarët e tjerë duan vite ta perfeksionojnë: kalimin në gjumin e thellë REM dhe lëshimin e një gërhitjeje baritoni që bëri të dridheshin dritaret. Çfarë duan më shumë këta evropianët?!”
I kontaktuar pas skualifikimit, vetë “artisti” nuk dukej i prekur nga rezultati. Burimet thonë se Mujo u zgjua rreth orës 23:30, fshiu sytë me kurrizin e dorës dhe turfulloi tërë mllef drejt emisionit politik të rastit gjersa e zuri sërish gjumi.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.