KAMËZ — Sektori i fasonerive në Shqipëri ka shënuar sot një moment historik për të drejtat e punëtorëve. Një 28-vjeçare, punonjëse te makina qepëse e rreshtit të tretë në një kapanon në periferi, ka përfituar një leje lindjeje rekord prej plot 120 minutash.
Ngjarja e jashtëzakonshme ndodhi mëngjesin e sotëm kur punonjëses i plasën ujërat fiks mbi një porosi xhaketash për tregun italian. Pronari i fasonerisë, i njohur për vizionin e tij humanitar, ndaloi punën për të bërë njoftimin. Ai i dha asaj lejen bujare për të shkuar në maternitet, me të vetmin kusht që të kthehej para pushimit të drekës.
Në një intervistë për Lemza News, pronari i fasonerisë, Gaqo Rruli, theksoi se biznesi shqiptar po bën hapa gjigantë drejt standardeve të BE-së.
“Për ne, familja është e shenjtë,” deklaroi zoti Rruli teksa ndizte një cigare sipër pirgut me pambuk. “I dhashë dy orë të plota. Në 12 duhet të jetë këtu sepse kemi për të dorëzuar zinxhirët e pantallonave verore. Nuk kemi luksin të rrimë shtrirë në krevat si nëpër filma.”
Sipas dëshmitareve, punonjësja u tregua korrekte dhe u kthye në vendin e punës në orën 11:54. Foshnjën e mbështolli me një copë astar difektoz dhe e la të flinte në një kuti kartoni te pedali i makinës qepëse.
Për të festuar këtë ditë të shënuar, pronari njoftoi se foshnja u regjistrua menjëherë në listën e praktikantëve pa pagesë. Sapo të mbushë moshën për të mbajtur kokën drejt, i porsalinduri do nisë të presë fijet e tepërta të këmishave, duke kontribuar kështu që në djep në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.