/ Sociale

Banori i Lapardhasë nuk e përballon dot frenetizmin urban të Kuçovës

|Nga: Redaksia Lemza
Banori i Lapardhasë nuk e përballon dot frenetizmin urban të Kuçovës

KUÇOVË — Vizita rutinë për të blerë një frezë bujqësore është kthyer në një makth të vërtetë psikologjik për Hysni Rrapin, një 58-vjeçar nga fshati i Lapardhasë. Sapo ka shkelur në qendër të Kuçovës, ai ka pësuar atë që njihet ndryshe si shok metropolitan; një mbingarkesë ndijore e shkaktuar nga ritmi i çmendur, dritat verbuese dhe trafiku mbytës i ish-qytetit të naftëtarëve.

I mësuar me qetësinë absolute të Lapardhasë, ku ngjarja më e madhe e ditës është hingëllima e kalit jashtë orarit, Hysniu u gjet tërësisht i papërgatitur përballë frenetizmit të kësaj xhungle betoni.

Sipas dëshmitarëve, 58-vjeçari filloi të shfaqte shenja paniku sapo u afrua te rrethrrotullimi kryesor i qytetit. Kur pa dy makina tip Mercedes-Benz 190 që prisnin në radhë për t’i dhënë përparësi një biçiklete, ai u shkreh në djersë të ftohta.

“Ishte një lajthitje që syri dhe mendja e njeriut nuk e përballon dot,” tregon Hysniu, tashmë i rikthyer i sigurt në oborrin e tij në fshat. “Pashë njerëz që ecnin shpejt. Me siguri po nxitonin për në zyrë. Kurse te parku dëgjova një kakofoni shurdhuese qytetërimi! Ishin tre pleq që po përplasnin gurët e dominosë mbi tavolinë sikur të mos kishte të nesërme. Metropoli i Kuçovës nuk është për mua.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon