/ Politikë
/ Sociale

Avokati i Popullit kërkon mbylljen e Republikës së Shqipërisë: Cënon dinjitetin njerëzor

|Nga: Redaksia Lemza
Avokati i Popullit kërkon mbylljen e Republikës së Shqipërisë: Cënon dinjitetin njerëzor

TIRANË — Pas një inspektimi rigoroz të kushteve të jetesës në terren, Avokati i Popullit ka dalë me një raport tronditës që i propozon autoriteteve një rishqyrtim total të kombit shqiptar. 

Në rastin më të keq, Republika e Shqipërisë duhet të mbyllet urgjentisht dhe popullsia e saj të evakuohet drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas institucionit, shteti shqiptar ka dështuar si projekt rezidencial dhe e vetmja mënyrë për të respektuar të drejtat e njeriut është t’u pritet bileta e avionit të gjithë qytetarëve, pa përjashtim.

Inspektimet kanë konstatuar, ndër të tjera, garsoniere të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme me 500 euro në muaj; shkolla me sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem; mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim për përqindjen më të madhe të popullsisë; mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim, etj.

“E vërteta është se i gjithë territori i vendit është i pabanueshëm. As Palasa me Ksamilin nuk janë imune,” shprehet ndihmës komisioneri pranë zyrës së Avokatit të Popullit, Fitnet Kërtalla. “I kërkojmë urgjentisht OKB-së të dërgojë autobusë humanitarë dhe t’i nxjerrë këta njerëz jashtë kufijve sa më parë.”

Plani i propozuar parashikon që pasi qytetari i fundit të kalojë doganën e Kakavijës ose Morinës, të ulet qepeni i Republikës së Shqipërisë dhe t’i vihet dryni kufijve për një kohë të pacaktuar.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon