/ Kronikë

Skandali / Fondet e IPARD u shpërdoruan për të rritur patëllxhanin më të madh në botë

|Nga: Redaksia Lemza
Skandali / Fondet e IPARD u shpërdoruan për të rritur patëllxhanin më të madh në botë

TIRANË — Hetimet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) mbi fondet e programit IPARD II në Shqipëri kanë nxjerrë në dritë një tjetër abuzim që sfidon jo vetëm ligjin, por edhe biologjinë. Sipas dosjes, 33 milionë euro u avulluan për një projekt tepër specifik dhe absurd: rritjen e një patëllxhani gjigant, me peshë 40 tonë.

Ky projekt fitoi grantin maksimal nga AZHBR duke u paraqitur si zgjidhja e përsosur për të shuar nepsin e shqiptarëve për imam bajalldi dhe si një atraksion botëror për agroturizmin.

Dosja hetimore evropiane thekson me detaje se si u kanalizuan paratë e taksapaguesve evropianë për të ushqyer mega zarzavaten e sfungjertë, ndërkohë që fermerët e Myzeqesë hidhnin prodhimin e tyre në kanal nga mungesa e tregut.

“Krye zyrtarja e AZHBR kishte një fiksim të pashpjegueshëm me këtë perime,” shprehet një nga hetuesit e OLAF. “Ajo pranoi se ëndrra e saj ishte të hynte në zyrë çdo mëngjes dhe të shihte nga dritarja një patëllxhan të madh sa mali i Dajtit. Ajo shpërfilli të gjitha rregulloret e BE-së vetëm për të përmbushur këtë ëndërr të çuditshme biblike.”

Pas marrjes në pyetje në zyrat e SPAK, ish-drejtoresha e AZHBR-së nuk shfaqi asnjë pendesë për shpërdorimin e fondeve evropiane, duke e justifikuar si “ambicie për ta çuar bujqësinë në një nivel tjetër”.

“Të gjithë po merren me shifrat, por askush nuk po flet për artin e bujqësisë,” deklaroi ajo e emocionuar para gazetarëve. “Evropa na jep para që të bëjmë gjëra të mëdha. Unë doja një mega patëllxhan epik që të shihej nga hapësira.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon