/ Politikë
/ Bota

Rama i kërkon homologes japoneze t'i japë borxh bllokun e Death Note

|Nga: Redaksia Lemza
Rama i kërkon homologes japoneze t'i japë borxh bllokun e Death Note

TOKIO — Gjatë takimit me dyer të mbyllura me homologen Sanae Takaichi, lideri shqiptar ka injoruar bisedimet për “Strategjinë e Indo-Paqësorit”, duke i bërë një kërkesë tepër specifike kryeministres japoneze: t’i huazonte për pesë minuta bllokun e zi të vdekjes, të njohur ndryshe si Death Note.

Sipas burimeve brenda delegacionit, Rama e ka justifikuar kërkesën e tij okulte si një “nevojë urgjente për reformën në administratën e brendshme”.

Burimet bëjnë me dija se KM shqiptar, duke parë nga dritarja rrokaqiejt e Tokios me duart e kryqëzuara pas shpine, i ofroi Takaichit një marrëveshje të re dypalëshe në këmbim të mjetit fatal.

“Nuk po ju kërkoj as kredi dhe as donacione,” mësohet të ketë thënë Rama. “Kërkoj të më jepni Death Note për vetëm 5 minuta. Tre rreshta do shkruaj, pa merak. Dy kryetarë bashkish që s’po më binden, dy disidentë partie, dhe ndoshta ndonjë analist të emisioneve të darkës që si shumë po llapin.”

Protokolli i Tokios kishte parashikuar që KM shqiptar do të kërkonte investime në infrastrukturë ose ndonjë fond për turizmin, por nuk ishin të përgatitur për rastin kur lideri kërkon fuqinë absolute për të fshirë nga ekzistenca opozitën me një stilolaps Bic.

“Ju keni fituar kaq shumë zgjedhje radhazi dhe keni kaq shumë vite në pushtet sa nuk ju duhet Death Note për të eleminuar kundërshtarët,” raportohet t’i jetë përgjigjur homologia japoneze, duke e shpallur vizitën të përfunduar.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon