/ Kronikë

Pordhaci vesh xhaketë oversize në 30° celcius

|Nga: Redaksia Lemza
Pordhaci vesh xhaketë oversize në 30° celcius

TIRANË — Roan Llogorja, një 24-vjeçar i cili poston “Vibe Check” çdo ditë në Instagram, ka rrezikuar atakun në zemër prej vapës, vetëm e vetëm për të mos prishur stilin.

Duke qenë se termometri arriti deri në 30 gradë Celsius ditët e fundit, shumë qytetarë iu dorëzuan rrobave të lehta prej linoje. Por jo Roani, i cili u shfaq me një xhaketë oversize prej lëkure, që pretendon se e ka gjetur “në një magazinë vintage në Berlin”, por që në fakt e ka blerë te rrobat e përdorura te tregu i Dinamos.

Sipas dëshmitarëve, djaloshi ishte ulur në diell duke pirë një Matcha Latte, ndërkohë që trupi i tij po humbiste rreth tre litra lëngje në orë. Edhe pse mjekra po i pikonte djersë dhe fytyra i kishte marrë një çehre të kuqe, ai refuzonte me përçmim të hiqte xhaketën.

“Ça katunarësh këta që punojnë në banka e në zyra, nuk e kuptojnë rëndësinë e layering,” u shpreh Roani me një zë të dobët, teksa pulsi i kishte shkuar 140 rrahje në minutë. “Të veshësh thjesht një t-shirt dhe një palë xhinse tregon varfëri estetike. Djersitja nuk vjen nga vapa, por nga ushqimet me gluten.”

Situata degradoi rreth orës 14:00, kur pordhaci tentoi të ngrihej për të bërë një selfie, por u rrëzua në shesh nga dehidratimi i ekstrem.

Aktualisht, 24-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahet nën vëzhgim intensiv. Burimet nga spitali theksojnë se infermieret kanë marrë urdhër të prerë të mos ia japin xhaketën deri  në tetor.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon