TIRANË — Duke i dhënë një shuplakë të gjithë atyre që ende e quajnë plot naivitet parti politike, lideri shpirtëror demokrat, Sali Berisha, ka vendosur ta kthejë Partinë Demokratike në një Guesthouse me qira ditore në platformën Airbnb.
Për 180 euro nata, turistët e huaj tashmë mund të flenë në godinën e revoltës më të madhe që ka parë ndonjëherë vendi ynë.
Profili i pronës, hapur rishtazi në Airbnb, ka marrë vlerësime maksimale që në ditët e para. Njoftimi, i shkruar personalisht nga Superhost Saliu, e thekson qartë karakterin unik të godinës:
“Mirësevini në këtë vilë boutique në zemër të Tiranës! Prona ofron hapësira të bollshme open-concept (falë disa dyerve të thyera në janar 2022) dhe salla mediash të qeta për gjumë të rehatshëm. Ndërtesa ka një aromë të lehtë gazi lotsjellës, çka i jep ndjesi autentike ballkanike.”
Kthimi i lëvizjes politike në 100% biznes familjar ka sjellë edhe një riorganizim të strukturave drejtuese. Deputetët kanë marrë role të reja për t’i shërbyer klientelës ndërkombëtare.
Ndërkohë, veteranët e politikës së djathtë e quajnë këtë vendim si një triumf të kapitalizmit mbi marrëzira të tilla si “votimi i lirë” apo “demokracia e brendshme”.
“Ai e ndërtoi vetë atë parti në ‘90-ën,” shpjegon analisti Frrok Frroku. “Është prona e tij. Nëse do ta kthejë në Airbnb për të huajt, apo nëse do t’ia lërë trashëgimi familjes te noteri, ky është një vendim krejt privat, dhe s’ka fare lidhje me fatet e demokracisë në vend.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.