/ Kronikë

Kontrolle blic te 313-a: Gjendet dhe sekuestrohet një tenxhere multicooker

|Nga: Redaksia Lemza
Kontrolle blic te 313-a: Gjendet dhe sekuestrohet një tenxhere multicooker

TIRANË — Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpallur sot një tjetër fitore historike kundër krimit të organizuar. Pas një sërë aksionesh të bujshme ku u sekuestruan dhjetëra telefona iPhone, Forcat Operacionale kanë goditur sërish në Burgun 313. Këtë herë, “prova materiale” që u nxor nga qelia ishte një pajisje e sofistikuar gatimi: një tenxhere Multicooker me 14 funksione inteligjente.

Sipas burimeve zyrtare, pajisja dyshohet se përdorej nga krerët e botës së krimit për të gatuar oriz kaf me perime pa lejen e institucionit.

Aksioni blic u ndërmor rreth orës 03:00 të mëngjesit, pas informacioneve në rrugë operative se të dënuarit po shkëmbenin receta për gatim të ngadaltë me avull. Forcat speciale shqyen derën e qelisë, të përgatitur për përplasje me armë, por u përballën me një aromë të pa rezistueshme mishi dhe dafine.

“Situata është e nderë,” deklaroi zëdhënësi i operacionit në një konferencë për shtyp. “Kemi të bëjmë me një mjet të rrezikshëm teknologjik. I burgosuri e kishte kurdisur që gjella të bëhej gati fiks kur ata ktheheshin nga ajrimi, gjë që tregon një nivel organizimi mafioz të paprecedentë.”

Sipas raportit, kalimi i botës së krimit te gatimet pa yndyrë  klasifikohet zyrtarisht si “akti më i pamëshirshëm i mafies shqiptare në historinë e tranzicionit”. Një bos i krimit që arrin të konsumojë me vetëdije të plotë patate apo gjoks pule të ziera në avull, pa asnjë pikë vaj, është një individ krejt i zhveshur nga çdo emocion njerëzor. 

“Nëse një person arrin t’i mohojë vetes aktin e shenjtë ballkanik të ngjyerjes së bukës në lëngun e mishit me gjalpë apo dhjamë, ai njeri është i aftë për çdo krim të mundshëm,” theksohet më tej në raportin e inteligjencës. “Të gatuash pa yndyrë në Shqipëri është sociopati e pastër. Kjo tregon se krimi i organizuar ka humbur edhe atë pak njerëzillëk që i kishte mbetur.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon