/ Politikë
/ Rajoni

Provokim i pastër: Dendias përdor Ligjin e Luftës si erashkë

|Nga: Redaksia Lemza
Provokim i pastër: Dendias përdor Ligjin e Luftës si erashkë

TIRANË — Edhe pse Athina zyrtare e mohon prej dekadash ekzistencën e “Ligjit të Luftës”, skena e sotme në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes ka nxjerrë zbuluar prapaskenat e diplomacisë helene. 

Tek zbriste nga makina qeveritare nën diellin përvëlues të fund majit, Ministri i Mbrojtjes grek, Nikos Dendias, nxori nga çanta një dokument të vjetër pergamenë, e palosi fizarmonikë me tre lëvizje të shkathëta dhe filloi të bënte fresk.

Delegacioni mikpritës shqiptar mbeti i shtangur kur kuptoi që erashka e improvizuar ishte vetë Dekreti i “Ligjit të Luftës” i vitit 1940.

“Malakia, sa vapë qenka,” mësohet të ketë thënë Dendias, ndërsa valëviste erashkën pranë fytyrës. “Zoti e bekoftë letrën e cilësisë së lartë të viteve ‘40! Kjo erashkë e improvizuar me dokumentin e Ligjit të Luftës, që nuk ekziston, qenka ilaç.”

Pavarësisht provave të pakundërshtueshme vizuale në këtë provokim të hapur para kamerave, diplomacia greke vazhdon të ngulmojë se “Ligji i Luftës” nuk ekziston. Vetë Dendias, i pyetur nga gazetarët e pranishëm mbi natyrën e erashkës, mohoi kategorikisht realitetin pa iu dridhur syri.

“Nuk e di ku e keni dëgjuar këtë mit urban, por ju siguroj që nuk ka asnjë ligj lufte mes nesh,” shtoi Dendias para se të nxirrte një tjetër fletë nga dekreti famëkeq për të fshirë djersën nga balli.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon