ZURIH — Topi zyrtar i Botërorit 2026 “Trionda” u prezantua tetorin e vitit të shkuar, ku një nga risitë ishte nevoja për karikim para ndeshjes për shkak të sensorit me frekuencë 500Hz që gjendet brenda tij.
Sot FIFA ka zbuluar detaje të tjera të frikshme të teknologjisë së re: sensori do dallojë dhe ndëshkojë “Goditjet me Majuc”.
Rregullorja e re specifikon qartë: çdo goditje me majën e këmbës, që në zhargonin e kalçetove quhet me majuc, pavarësisht nëse përfundon në rrjetë apo jo, anulohet menjëherë dhe autori i saj ndëshkohet me karton të kuq.
“Kemi shpenzuar miliona dollarë për të krijuar fusha perfekte dhe topa aerodinamikë,” thuhet në deklaratën e FIFA-s. “Nuk mund të lejojmë që në një finale Botërori, një lojtar i paguar 20 milionë euro në vit ta godasë topin me majuc si xha Berti te fusha e lagjes.”
Sipas sistemit të ri, nëse “Trionda” regjistron një impakt në zonën e gishtit të madh të këmbës, dritat LED të topit do të pulsojnë me alarm. Arbitri do të ndërpresë lojën menjëherë, do t’i nxjerrë lojtarit kartonin e kuq dhe do ta ftojë të largohet nga fusha mes vërshëllimave të publikut.
Për t’i shpëtuar kësaj gijotine dixhitale, trajnerët e kombëtareve kanë filluar t’u japin lojtarëve kurse baleti klasik. Qëllimi është t’i mësojnë ata të shtrijnë gjithmonë qafën e këmbës ose të përdorin të brendshmen, edhe kur topi është vetëm një centimetër larg vijës fatale.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.