/ Politikë

Rama kollofit Marta Kos: Lashë dy lugë sa për farë

|Nga: Redaksia Lemza
Rama kollofit Marta Kos: Lashë dy lugë sa për farë

BRUKSEL — Gjatë Konferencës Ndërqeveritare të mbajtur mbrëmjen e djeshme, KM Edi Rama ka shkaktuar panik mes burokratëve të Brukselit pasi, i rrëmbyer nga pasioni i madh për integrim dhe nga mbiemri tundues i Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, ai e kullufiti këtë të fundit me një kafshatë të vetme.

E prekur nga fjalimi poetik dhe sharmi prej poligloti i KM shqiptar, Marta Kos u afrua për ta puthur atë në faqe. Por, përballë një zyrtareje të lartë evropiane që mban emrin e nënproduktit më të dashur të bulmetit në Shqipëri, instinkti ancestral mbizotëroi mbi protokollin diplomatik. Rama hapi gojën dhe, në vend të puthjes, e gëlltiti të gjithën.

Teksa rojet e sigurisë së Parlamentit Evropian bënë gati armët dhe delegatët e tjerë u fshehën poshtë tavolinave nga frika, KM nxori një pecetë, fshiu buzët dhe u përpoq të justifikonte incidentin si një procedurë standarde të traditës shqiptare.

“Aman mos e bëni kaq tragjike,” u shpreh ai. “Nuk e hëngra të gjithën! Lashë nja dy lugë ‘Kos’ në fund sa për farë.”

Rama i shpjegoi sallës së tronditur se procesi i integrimit tani është më i sigurt se kurrë.

“Atë pak Kos që ngeli, nesër do ta përziejmë me 1 litër qumësht të ngrohtë nga administrata jonë publike,” sqaroi ai. “Do t’i hedhim sipër një batanije të trashë me reforma në drejtësi, do ta lëmë të pushojë në një ambient pa korrupsion, dhe deri në mëngjes do na jetë zënë një Komisionere e re, akoma më e madhe dhe me standarde më të larta se vetë BE-ja.”

E tronditur, zv ministrja qipriote, Marilena Raouna, u mbyll në tualet dhe refuzoi të dilte derisa t’i konfirmonin që mbiemri i saj nuk përkthehet “Tarator” apo “Fërgesë” në gjuhën shqipe.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon