TIRANË — Kriza në ngushticën e Hormuzit ka sjellë pasoja shkatërrimtare veçanërisht për buxhetet e portaleve shqiptare.
Agjencitë ndërkombëtare të fotove stok si Getty, Shutterstock, Adobe Stock kanë njoftuar një rritje drastike të çmimeve për të gjitha imazhet që kanë lidhje me karburantin dhe pistoletën e naftës.
Deri javën e kaluar, një foto me rezolucion të lartë e një dore që mbush një makinë me naftë kushtonte rreth 9 dollarë. Sot, për shkak të “kërkesës së lartë për këto foto ilustruese”, e njëjta foto shitet për 90 dollarë, duke e kthyer në artikull luksi.
Për shkak të kësaj krize, në rrjetet sociale ka nisur të lulëzojë tregu i zi i fotove stok të karburanteve.
Agjencitë e fotove stok kanë parashikuar se nëse bllokimi vazhdon, çmimet do të rriten edhe për imazhe të tjera që lidhen me krizën, si “gruaja që mban kokën me dorë” apo “grafikë me vijë të kuqe zigzag.”
Kryeredaktori i portalit të njohur Kalemi.al shpjegoi për Lemza News se situata është bërë e papërballueshme. Ai shtoi se nëse çmimet vazhdojnë kështu, portali i tij do të detyrohet të ndalojë raportimin e krizës së naftës dhe do të fokusohet vetëm te “recetat e gatimit me perime të stinës”, ku çmimet e fotove stok të qepëve janë ende të përballueshme.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.