TIRANË — Një ngjarje që ka lëkundur besimin e qeverisë tek elita e administratës shtetërore është regjistruar mëngjesin e sotëm. Pajtim Memerda, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Qeskave të Sheqerit, i cili u katapultua në këtë post muajin e kaluar fill pas skandalit seksual, është shkarkuar me urgjencë. Vendimi erdhi pasi u zbulua se zyrtari e kishte sajuar vetë skandalin, me qëllimin e vetëm për t’u ngritur në detyrë.
Memerda, i cili për 10 vjet kishte qenë një nëpunës i thjeshtë dhe i ndershëm, kuptoi rregullin e artë të karrierës në Shqipëri: Nëse nuk ke një dosje në SPAK ose një video skandal nga dhoma e hotelit, nuk bëhesh kurrë drejtor.
Për të kapërcyer këtë pengesë, ai organizoi një fushatë të sofistikuar denigrimi kundër vetes.
“Ndihemi të fyer dhe të tradhtuar,” deklaroi një burim pranë Këshillit të Ministrave. “Ne e ngritëm në detyrë sepse menduam që ishte vërtet i përfshirë në skandalin e papranueshëm seksual të muajit të kaluar. Ai plotësonte të gjitha standardet tona për t’u promovuar. Sot zbuluam se është një familjar i ndershëm që kthehet në shtëpi pa shkuar ora 5.”
Hetimi, kryer nga Komisioni i Etikës dhe Vlerësimit të Korrupsionit, zbuloi se vajza në videon e skandalit ishte në fakt aktore teatri e paguar nga Memerda. Ndërsa tabulatet telefonike nxorën në shesh gjuhën e tij të kulluar dhe edukatën e pashoq, një shkelje e rëndë kjo e protokollit të drejtorëve të administratës publike.
“Nëse doni të bëheni ministra, duhet të vidhni dhe të shkaktoni skandale të vërteta,” u shpreh burimi pranë Këshillit të Ministrave. “Shteti ka nevojë për kriminelë autentikë, jo për amatorë që shtiren sikur janë fundërrina sa për një karrige!”
Aktualisht, Memerdës i është hequr përgjithmonë e drejta për të mbajtur poste publike.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.