/ Udhëtime
/ Showbiz

Ivanka Trump qetëson shqiptarët: Do ta përdhosim Zvërnecin më mirë se çdo oligark vendas

|Nga: Redaksia Lemza
Ivanka Trump qetëson shqiptarët: Do ta përdhosim Zvërnecin më mirë se çdo oligark vendas

UASHINGTON — Pas protestave të vazhdueshme të ambientalistëve dhe shoqërisë civile për shkatërrimin e natyrës në Zvërnec, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump, ka ndërhyrë për të qetësuar gjakrat. Përmes një postimi në X, ajo i siguroi shqiptarët se partneri i saj, Jared Kushner, do ta shkatërrojë ekosistemin me një standard që oligarkët e Tiranës as nuk e ëndërrojnë dot. 

“Kam parë se çfarë ndërtojnë investitorët tuaj strategjikë në bregdet. Një tmerr i vërtetë. E prishin pyllin pa pikë klasi,” shkruan Ivanka Trump. “Ne kemi betonin më të mirë në botë. Më besoni, kur të hyjnë buldozerët e Jared në Zvërnec, do jetë një shkatërrim elitar me pesë yje. Pelikanët do të jenë të lumtur që po dëbohen nga një markë kaq e madhe dhe luksoze.”

Sipas saj, shqiptarët duhet të ndihen të lehtësuar që flora dhe fauna e tyre nuk do të zhduket nga një biznesmen lokal me lidhje të dyshimta tenderash, por nga një korporatë globale me miliarda dollarë në llogari offshore.

“Të jeni qetë,” tha një zëdhënës i projektit. “Nëse ia linit Zvërnecin ndërtuesve tuaj, ata do ta mbushnin me vila ngjyrë pjeshke dhe restorante pabuksash. Ne do t’i rrafshojmë habitatet e rrezikuara me elegancë të paprecedentë. Do të jetë një katastrofë mjedisore që do ta ketë zili e gjithë Evropa!

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon