/ Kronikë

Kapet spiuni rus / Shiste majdanoz në rrugët e Tiranës

|Nga: Redaksia Lemza
Kapet spiuni rus / Shiste majdanoz në rrugët e Tiranës

TIRANË — Një aksion blic i Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me repartet elitë të luftës kundër krimit ekonomik, ka rezultuar në kapjen e një agjenti të rrezikshëm rus.

Ndryshe nga ç’mund të mendohet, operacioni nuk u realizua përmes përgjimit të telefonatave apo gjurmëve digjitale, por falë vigjilencës së shtetit ndaj tregtisë pa leje të zarzavateve me zhardhokë.

Spiuni rus u kap në flagrancë duke shitur qepë dhe majdanoz pa faturë tatimore dhe pa asnjë certifikatë higjeno-sanitare, si pjesë e kamuflimit të tij në territorin shqiptar.

Për muaj të tërë, personi kishte operuar nën sytë e të gjithëve, i maskuar si tregtar i thjeshtë fshati, duke shitur perimet e tij me çmime modeste. 

Vetëm syri i stërvitur i një inspektori të shërbimit bashkiak arriti të shohë atë që të tjerët nuk e kishin parë: mungesën e vulës sanitare te tufa me majdanoz.

Drejtoria e Policisë ka mbajtur një konferencë për shtyp, duke e vlerësuar këtë si një fitore të madhe të rendit dhe ligjit.

“Opozita thotë se ne po sulmojmë fshatarët,” deklaroi drejtori i komisariatit numër 2, Jetmir Lepe. “Por sot ne vërtetuam se prapa çdo arke me zarzavate mund të fshihet një agjent i Kremlinit. Vigjilenca ndaj tregtarëve të spinaqit dhe vezëve të fshatit është mburoja jonë nga kërcënimi rus.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon