/ Shëndeti

Për herë të parë në QSUT: Terapi hormonale për t'u kthyer në patronazhist

|Nga: Redaksia Lemza
Për herë të parë në QSUT: Terapi hormonale për t'u kthyer në patronazhist

TIRANË — Duke filluar nga dita e hënë, QSUT do të ofrojë për herë të parë terapinë e plotë hormonale për të gjithë qytetarët që vuajnë nga “Disforia e Opozitës” dhe duan të transformohen biologjikisht në patronazhistë të thekur.

Trajtimi synon të ndihmojë ata individë që janë të lindur si opozitarë apo rebelë, por që ndihen të bllokuar në trupin e gabuar, sepse thellë-thellë, shpirti i tyre kërkon me dëshpërim një rrogë bazë në administratën shtetërore.

Sipas mjekëve të pavijonit të Endokrinologjisë, trajtimi bazohet në injektimin e përditshëm të Rilindjosteronit dhe ndrydhësve të dinjitetit.

“Procesi i tranzicionit fillon me bllokimin e receptorëve të mendimit kritik në lobin ballor të trurit,” sqaroi kryemjeku i pavijonit, Birçe Lamçe. “Brenda javës së parë të terapisë hormonale, pacienti fillon të përjetojë ndryshime të frikshme: i zhduket dëshira për t’u ankuar për çmimin e naftës dhe, në mënyrë krejt të pavullnetshme, dora i shkon të bëjë ‘Share’ çdo status të KM.”

Si çdo ndërhyrje mjekësore, edhe tranzicioni për t’u bërë patronazhist ka efektet e veta anësore. Një prej tyre mund të jetë rritja jonormale e muskulaturës së gishtit të madh të dorës, e shkaktuar nga shtypja e pandërprerë e butonit “Like” dhe lëshimit të komenteve “Suksese shefe!” në çdo postim drejtoreshash.

Për habi, ndryshe nga qëndrimi i ashpër kundër terapive transgjinore, Këshilli Ndërfetar shprehet pro kësaj nisme.

Të marrësh hormone për të ndërruar identitetin gjinor është kundër Zotit,” tha një zëdhënës i komuniteteve fetare. “Por të marrësh hormone për të spiunuar komshiun në këmbim të një vendi pune në Ujësjellës është absolutisht e lejuar. Zoti nuk të gjykon kur e bën për një copë rrogë. Ndryshe, me çfarë do i blesh qirinjtë për në kishë?”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon