TIRANË — Në një ceremoni diskrete, larg smogut të kryeqytetit, dhe fëmijëve të zakonshëm qaramanë, qeveria ka mbajtur sot aktivitetin më të sinqertë të 1 Qershorit.
Në oborrin e një resorti me 5 yje, anëtarët e kabinetit qeveritar u mblodhën për të uruar ekskluzivisht fëmijët e Investitorëve Strategjikë dhe oligarkëve vendas, duke u dorëzuar atyre çelësat e së ardhmes.
Për herë të parë, retorika politike përputhej plotësisht me realitetin ekonomik të vendit.
“Ju lutem, mos u xhelozoni kur na shihni në televizor duke puthur e përqafuar fëmijët e fakirëve,” u shpreh KM, duke i përkëdhelur kokën një 7-vjeçari që sapo ishte emëruar në bordin drejtues të një kompanie nafte. “Është teatër që na i kërkon puna. Kur ne themi se fëmijët janë e ardhmja e Shqipërisë, ne po mendojmë ekskluzivisht për ju dhe për tenderat që do t’ju trashëgojnë etërit tuaj.”
Ndryshe nga festat në kryeqytet me tullumbace dhe çokollata të skaduara, dhuratat në këtë ceremoni ishin të një niveli tjetër. Vogëlushët u surprizuan me dokumentet e pronësisë për toka në bregdet dhe fadroma të vërtetë për të rrafshuar çfarë t’u dojë zemra.
Edhe opozita nuk e ka lënë pa përmendur këtë ditë të shënuar. Ata akuzuan qeverinë për diskriminim, duke deklaruar se “edhe fëmijët e biznesmenëve tanë kanë të drejtë të marrin pjesë në grabitjen e së ardhmes së vendit.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.