TIRANË — Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme gjatë një konference për shtyp të KM. Çdo gjë po shkonte sipas skenarit të miratuar, kur befas një gazetar kazani nxori një pyetje të paautorizuar nga xhepi dhe e lëshoi drejt KM Edi Rama.
“Zoti Kryeministër, si i përgjigjeni kërkesave të protestuesve…”
Fatmirësisht, reflekset e shpejta të njërit prej oficerëve të Gardës së Republikës shmangën një tragjedi të vërtetë të komunikimit publik.
Oficeri i sigurisë, Luan Biçimi, e kuptoi menjëherë se kjo nuk ishte një pyetje që mund të kalohej thjesht me një batutë ironike për opozitën. Me një lëvizje heroike, truproja u hodh përpara podiumit.
“Ishte tamam si në skenat slow-motion të ‘Matrix’,” rrëfen i dërguari ynë, Gaqo Vishnja, ende i tronditur. “Luani e thithi të gjithë fuqinë e pyetjes me trupin e tij. Ai u përplas në tokë ndërsa fjalët ‘Zvërnec’, ‘zonë mbrojtur” dhe ‘anulim” ia bënë kraharorin shoshë. KM mbeti krejt i paprekur nga ky sulm terrorist i fjalës së lirë.”
Duke qenë se jeleku anti-plumb nuk ofron asnjë mbrojtje kundër llogaridhënies publike, truproja pësoi një shok të rëndë kognitiv, para se t’i binte të fikët.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë e evakuuan menjëherë zonën, duke e futur KM në makinën e blinduar dhe duke i mbuluar veshët me duar që të mos ekspozohej ndaj asnjë pyetjeje tjetër pasuese.
Aktualisht, oficeri i Gardës ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës, në pavijonin e “Dëmtimeve nga Gazetaria e Pavarur”.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.