ATHINË — Një tërmet i financiar ka goditur Bashkimin Europian mëngjesin e sotëm. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, doli në një konferencë urgjente për të shpallur falimentimin e dytë historik të Greqisë. Ndryshe nga kriza e vitit 2010, këtë herë arka e shtetit u zbraz nga faturat e kripura që u desh të paguheshin për të financuar qytetarët dhe ambjentalistët shqiptarë që po protestojnë kundër projektit në Zvërnec.
Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Helen, Ministri i Financave i Greqisë shpjegoi se operacioni sekret “Anti-Shqipëri” doli plotësisht jashtë kontrollit buxhetor.
“Plani i inteligjencës sonë ishte të paguanim disa aktivistë që të mbronin natyrën në Zvërnec, në mënyrë që të bllokonim zhvillimin e turizmit elitar shqiptar” shpjegoi ministri. “Por pas vetëm tre protestash, arka u zbraz krejtësisht.”
Greqia raportohet se u detyrua të shesë dy ishuj të vegjël në Egje vetëm për të mbuluar shpenzimet e bojës për parullat.
Në Tiranë, përfaqësues të maxhorancës dolën menjëherë në deklarata publike duke rrahur gjoksin se kishin pasur të drejtë gjatë gjithë kohës. Asnjë qytetar shqiptar nuk do ta mbronte natyrën pa u paguar nga një shtet i huaj armik. Për të mbyllur gojën e skeptikëve, ekspertët e qeverisë publikuan sot pamje me dron që zbulonin detaje tronditëse nga jeta e shpendëve në lagunë.
“I kemi mbajtur nën vëzhgim flamingot prej ditësh,” deklaroi një zëdhënësi i qeverisë, Zizo Pajaziti. “Kemi prova të pakundërshtueshme filmike ku flamingot refuzojnë peshkun e freskët autokton dhe kërkojnë me ngulm djathë Feta dhe ullinj Kallamata. Kjo tregon qartë se flora dhe fauna e Zvërnecit është radikalizuar nga qarqe greke që nuk e duan zhvillimin e Shqipërisë!”
Ndërkohë që Athina i është lutur FMN-së për një paketë të re shpëtimi, përgjigjja nga Uashingtoni ka qenë e prerë: “Nuk ka më lekë për ju, nëse vazhdoni të paguani shqiptarët të bërtasin para Kryeministrisë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.