TIRANË — Burime nga stafi i pastrimit në kryeministri konfirmojnë se, gjatë fundjavës, kreu i qeverisë është mbyllur në zyrën e tij për orë të tëra, duke fryrë me pompë qindra kamerdare në formë flamingoje, vetëm e vetëm për të shijuar momentin e çarjes së tyre me gjilpërë.
Sjellja duket se është kthyer në një domosdoshmëri psikologjike për t’i bërë ballë stresit të ditëve të fundit, ndërkohë që vendi është mobilizuar në një valë protestash kundër resortit luksoz të dhëndrit të Trump.
Sipas punonjësve të sigurisë, nga zyra qendrore në katin e dytë dëgjohet vazhdimisht zhurma e ajrit të kompresuar, e ndjekur menjëherë nga një “Pffffft” i thatë dhe një e qeshur manniakale. Kur sekretarja i kishte ofruar që kamerdaret t’i frynte administrata, në mënyrë që ai vetëm t’i shponte, Rama raportohet ta ketë refuzuar me indinjatë.
“Ju nuk e kuptoni procesin,” raportohet t’u ketë thënë KM stafit të ngushtë. “Katarsisi i vërtetë nuk vjen nga asgjësimi i zogut të mallkuar rozë. Duhet ta mbushësh vetë me ajër. Duhet t’i japësh formë, t’i japësh jetë këtij iluzioni qesharak të shoqërisë civile, dhe fiks në momentin kur flamingoja ngre qafën me krenari dhe mendon se ka fituar kauzën… TAKK, ia fut gjilpërën! Unë të bëra, unë të çbëj!”
Për shkak të ritmit të lartë me të cilin Rama po i asgjëson kamerdaret rozë, tregu vendas ka shteruar plotësisht. Për të shmangur një krizë nervore në ekzekutiv, Këshilli i Ministrave thuhet se ka kaluar një tender emergjent dhe sekret me fondin rezervë, për të importuar dy kontejnerë me flamingo kineze direkt në oborrin e kryeministrisë.
Ndërkohë, mjekët kanë ngritur alarmin se shpimi masiv i materialit PVC nga distanca të afërta mund t’i ketë shkaktuar KM intoksikim nga goma kineze e lirë, gjë që sipas tyre “shpjegon qartë pse ditët e fundit kreu i shtetit ka humbur toruan.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.