/ Politikë

Berisha pyet pasqyrën nëse është ende non grata

|Nga: Redaksia Lemza
Berisha pyet pasqyrën nëse është ende non grata

TIRANË — I habitur nga fakti që heqja e Non Grata nga SHBA nuk u përkthye automatikisht në adhurim nga populli, Sali Berisha duket se ka kërkuar certifikim përfundimtar nga bota e mbinatyrshme. 

Burime të sigurta nga selia e Partisë Demokratike bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme, Doktori është mbyllur i vetëm në zyrën e tij, përballë një pasqyre të madhe muri me kornizë antike, dhe ka tentuar të marrë një përgjigje përfundimtare për statusin e tij të popullaritetit.

Raportohet se Berisha u pozicionua përballë pasqyrës, rregulloi kravatën dhe formuloi pyetjen me intonacionin klasik që dikur ngrinte peshë sheshet:

“Pasqyrë, moj pasqyrë, o qelq i bekuar,

Më thuaj, kush është lideri më i adhuruar?

Kush e ka vulën në xhep dhe vizën të pastruar?”

Pritshmëritë ishin që pasqyra t’i konfirmonte dominimin e tij absolut. Por xhami magjik iu përgjigj se ai vazhdon të jetë non grata nga populli i tij.

Pas kësaj, raportohet se Doktori ka urdhëruar stafin të thyejnë xhamin e padëshiruar dhe ta zëvendësojnë me një televizor 55’ që transmeton 24/7 “Syri TV”.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon