/ Shëndeti
/ Politikë

Ministria e Shëndetësisë shpall ditën kombëtare të ndërgjegjësimit kundër Ardit Bidos

|Nga: Redaksia Lemza
Ministria e Shëndetësisë shpall ditën kombëtare të ndërgjegjësimit kundër Ardit Bidos

TIRANË — Pa mundur të gjente një zgjidhje për të bllokuar shfaqjen e tij në shtatë kanale televizive dhe tre podcaste njëherazi, Ministria e Shëndetësisë mori një vendim drastik këtë të martë. Duke filluar nga ky vit, data 16 Qershor do të shënohet me të kuqe në kalendar si “Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit kundër Ardit Bidos”.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë, ky vendim vjen pas raporteve shqetësuese që tregojnë se qytetarët shqiptarë po kapen të papërgatitur nga shfaqjet e tij të papritura nëpër panele, duke shkaktuar rritje të tensionit, ankth kronik dhe marrje mendsh.

“Populli duhet të dijë se si të mbrohet,” u shpreh zëdhënësi.

Gjatë “Ditës së Ndërgjegjësimit”, në të gjitha shkollat dhe institucionet publike do të zhvillohen stërvitje dhe simulime për t’i mësuar qytetarëve “Protokollin e Mbijetesës kundër fenomenit Bido.”

Në kuadër të kësaj dite, bashkitë në mbarë vendin do të shpërndajnë kuti të ndihmës së parë për qytetarët më të rrezikuar (ata që shikojnë emisione politike pas orës 21:00). 

Kutia përfshin tapa veshësh prej silikoni të cilësisë së lartë, një kuti me çaj kamomili, dhe një telekomandë universale rezervë nëse telekomanda e tyre befas ndalon së punuari.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon