TIRANË — Banorët e një pallati në zonën e “Don Boskos” janë zgjuar sot në një atmosferë zie. Patriarku i shkallës, 88-vjeçari Hysen Biro, ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale. Por ajo që ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe komshinjve, ishte mënyra e veçantë e familjes për ta nderuar.
Djemtë e të ndjerit kanë nxjerrë në ballkon relikten më të shtrenjtë të gjyshit: shaminë e tij prej cope me kuadrate. Me sy të përlotur, ata e varën me dy kapëse, fiks në gjysmë të shtizës ku lidhet teli i rrobave, duke e lënë të sfidojë erën e kryeqytetit.
Sipas familjarëve, asnjë objekt tjetër nuk e përfaqësonte më mirë jetën dhe veprën e Hysenit sesa ajo shami, e cila kishte qëndruar në xhepin e tij të majtë që nga koha e Sudes.
“Babai nuk ndahej kurrë nga kjo shami. Me të pastronte syzet, fshinte djersën, dhe depozitonte të gjitha sekrecionet dimërore,” u shpreh Veri, djali i madh, i cili kreu edhe ceremoninë e vendosjes së shamisë në gjysmështizë. “Kjo shami personifikon vetë babën, që ka qenë kockë e fortë. Ajo është bërë gur, duke i rezistuar çdo detergjenti larës.”
Ndërkohë, administratori i pallatit i ka shprehur ngushëllimet familjes, por u ka kërkuar që nëse bie shi, shamia të futet urgjentisht brenda, nga frika se mos tretja e saj krijon një rrezik biologjik për ballkonet e kateve më poshtë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.