/ Politikë

Rama kthehet nga rruga kur kujtohet që ka lënë Baton Haxhiun në prizë

|Nga: Redaksia Lemza
Rama kthehet nga rruga kur kujtohet që ka lënë Baton Haxhiun në prizë

TIRANË — Rrugës për në Rinas, KM Edi Rama ka urdhëruar eskortën e tij të kthehet urgjentisht mbrapsht, pasi dyshonte se kishte harruar pa hequr nga priza analistin Baton Haxhiu.

Dëshmitarët tregojnë se Rama filloi t’i binte xhamit me grusht duke bërtitur se çfarë mund të bënte një spin doktor nëse lihej 48 orë rresht në prizë.

“A e hoqa nga priza?! Nuk mbaj mend, kështu që më mirë të kthehemi,” mësohet të ketë thirrur KM i tmerruar. “O Zot, nëse ai rri ndezur deri të premten, do fillojë të mbrojë dhe skandalet që akoma s’kanë ndodhur! Më ktheni mbrapsht urgjent!”

Eskorta mbërriti në ambientet e televizionit duke thyer çdo rregull qarkullimi, fiks para se sistemi i Batonit të digjej plotësisht. Sidoqoftë, në ato 45 minuta që kishte qenë pa mbikëqyrje, Baton Haxhiu kish nisur të parashikonte jo vetëm rezultatin e zgjedhjeve lokale të vitit 2027, por edhe numrin e saktë të votave të pavlefshme në fshatin Rrogozhinë.

Pa përshëndetur njeri, KM u fut në studio gjatë bllokut të reklamave, iu afrua kolltukut të analistit dhe ia shkëputi me forcë kabllon trefazore që e lidhte me prizën prapa dekorit.

Zhurma e motorit analitik filloi të binte gradualisht. Ndërsa voltazhi zbriste në zero, qepallat e Batonit u ulën, ai rregulloi syzet për herë të fundit, dhe murmuriti me një zë prej kasetofoni të prishur: “Opozita nuk ka… lidership… Ballkani… zzz… error…”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon