TIRANË — Kreu i Shtetit, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, simboli i unitetit kombëtar, Bajram Begaj, më në fund ka thyer heshtjen në lidhje me protestën që shkundi kombin.
“Të dashur qytetarë. Si President i Republikës, e kam ndjekur situatën me shqetësim të thellë. Koha për të heshtur ka mbaruar. Sot, unë marr guximin të deklaroj hapur dhe pa frikë: Mbështes plotësisht lëvizjen e studentëve të Dhjetorit 1990 dhe dënoj ashpër regjimin e Ramiz Alisë!” u shpreh Begaj, duke ngritur gishtin me një burrëri të sforcuar. “Nuk mund të lejojmë që diktatura e proletariatit të shtypë rininë tonë. Tërheqja zvarrë e bustit të diktatorit ishte një akt i domosdoshëm! Shpresoj që Byroja Politike të reflektojë urgjentisht!”
Kur një gazetar i hutuar ngriti dorën për t’i kujtuar se në bulevard ka me mijëra qytetarë të revoltuar prej 18 ditësh, Presidenti u përgjigj me një buzëqeshje të ngrirë:
“Nuk di gjë, të jem i sinqertë. Këto 18 ditë kam mbajtur perdet mbyllur dhe kam dëgjuar muzikë klasike me kufje ‘noise-canceling’. Siguria kombëtare kërkon që unë të kem një ambient të qetë për të firmosur malin me projektligje.”
Burime nga stafi i Presidencës bëjnë me dije se Presidenti ndihet i lodhur nga ky shpërthim i paprecedentë rebelimi. Për t’u qetësuar, ai ka planifikuar një fundjavë të gjatë pushimi.
Për sa i përket protestës aktuale vetëm 100 metra larg zyrës së tij, stafi ka hartuar një strategji të qartë: Bajram Begaj pritet të mbajë një qëndrim tepër të ashpër dhe kritik për këto ngjarje, diku rreth datës 14 Maj të vitit 2061. Deri atëherë, luteni të mos bëni shumë zhurmë, sepse Presidenti po përpiqet të dremisë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.