TIRANË — Dea, 24 vjeçe, një anëtare e dedikuar e komunitetit BookTok, raportohet se shpërtheu në lot pasi lexoi përmbledhjen që Inteligjenca Artificiale i bëri romanit “Prilli i Thyer” nga Ismail Kadare.
Sipas shoqeve të saj të tavolinës, Dea e kishte blerë librin sepse kopertina përshtatej me ngjyrat e ‘feed’-it të saj në Instagram, por nuk shkoi më tej se tre faqet e para. Për të mbajtur statusin e saj si lexuese intelektuale, ajo i kërkoi ChatGPT-së t’i përmblidhte romanin në 250 fjalë.
Mënyra sesi ChatGPT e përktheu Kanunin në zhargonin e terapisë moderne të rrjeteve sociale e preku thellë vajzën.
“Fillova të qaja me dënesë kur ChatGPT më tha se Gjorgu po vuante nga një ‘traumë gjeneracionale’ e pashëruar,” tha Dea mes lotësh. “Ishte kaq sad. Sipas chatit, Kanuni ishte një ‘ambient thellësisht toksik me shumë red flags’, ku familja i bënte Gjorgut gaslighting që ai të vriste dikë.”
E traumatizuar nga fakti që jeta e Gjorgut mbaron papritur në mes të prillit, pa i dhënë atij mundësinë të zbulonte veten, Dea raportohet se i ka kërkuar ChatGPT-së t’i gjenerojë një fund alternativ.
Në versionin që ChatGPT volli për 2 sekonda, Gjorgu dhe Diana thyen Kanunin, hipën në pajtonin e Besianit dhe ia mbathën drejt Tiranës. Atje hapën një studio për joga dhe i bënë bllok familjeve të tyre në WhatsApp për të ruajtur energjinë pozitive.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.