BRUKSEL / TIRANË — Autoritetet belge dhe Interpoli janë në alarm maksimal këtë të premte. Skulptura abstrakte e KM Edi Rama dhe e ekspozuar me bujë të madhe në një godinë të BE-së në Bruksel, është arratisur.
Pamjet e kamerave të sigurisë të aeroportit të Rinasit e treguan veprën e artit duke zbritur nga një fluturim low-cost, ndërsa sot pasdite, ajo u pa në rreshtin e parë të kordonit të protestuesve te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej: “Çfarë ka dashur të thotë Autori!”
Skulptura, e cila i ngjan një lythi tumoral, u tha protestuesve me megafon se nuk mund të qëndronte më e heshtur në Evropë, ndërkohë që Shqipëria po vlon nga revolta.
“Isha atje në Bruksel, rrethuar nga eurokratë që pinin shampanjë dhe thoshin: ‘Uau, çfarë kryeministri vizionar, ai bën art!’,” shpjegoi Skulptura me zë të ngjirur metalik. “Por pastaj pashë lajmet nga Tirana. Pashë se si vidhet vendi dhe se si Autori im fshihet pas meje për t’u dukur si artist i madh. Edhe unë që jam një grumbull bronxi pa tru dhe pa logjikë, e kuptova që kjo qeverisje s’ka asnjë lloj kuptimi!”
Zëdhënësit e propagandës dolën me urgjencë për të sqaruar se vepra e artit “nuk e përfaqëson më vizionin e Kryeministrit” dhe se ajo ka rënë pre e manipulimit të opozitës.
“Kjo nuk është më skulptura ime! Kemi informacione të sigurta se është infektuar nga radikalizmi i verbër i forcave armike me Shqipërinë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.