TIRANË — Shumë po e konsiderojnë si përditësimi më i madh i softuerit politik të Partisë Socialiste në dekadën e fundit. KM Edi Rama ka zbuluar sot armikun e vërtetë fshehur pas protestave qytetare. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, ai tha se ky armik është një mutacion i frikshëm mes inxhinierisë së Silicon Valley-t dhe Opozitës së Vjetër. Fajin e ka Salgoritmi.
“Për 10 vjet me radhë unë thosha që për çdo gjë e ka fajin Saliu. Por paskam qenë gabim!” theksoi Rama duke goditur lehtë foltoren. “Ata kanë marrë të gjitha fjalimet e vjetra, të gjitha britmat, të gjitha akuzat e 30 viteve dhe kanë trajnuar një Inteligjencë Artificiale. Kjo bishë e re quhet Salgoritmi! Kur ti kërkon në Google ‘Si të shpëtojmë mjedisin’, Salgoritmi ta kthen rezultatin automatikisht në ‘Poshtë Edi Rama’ dhe të nxjerr një video me zërin tim të modifikuar me AI që gjoja thërras Donald Trumpin për të vrarë pelikanët.”
Rama shpjegoi se Salgoritmi është aq i avancuar saqë arrin të identifikojë çdo ndërtim të ri në Shqipëri dhe ta kthejë atë në një skandal global brenda 4 sekondave, duke përdorur armatën e tij të re: “Proletariatin e TikTok-ut”.
Për të përballuar këtë apokalips kibernetik, KM deklaroi se ka gati një strategji homerike. Ashtu si Odiseu që u lidh pas direkut për të mos dëgjuar sirenat, Rama ka udhëzuar Gardën e Republikës që ta lidhin fizikisht pas karriges së Kryeministrisë me kabllo Ethernet-i.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.