MONTERREY — Botërori i vitit 2026 do të mbahet mend gjatë për një sërë arsyesh, një prej tyre topi hi-tech Trionda, i cili ka nevojë të karikohet para ndeshjes për shkak të sensorit me frekuencë 500Hz që gjendet brenda tij.
Kulmi i absurdit teknologjik u shënua në minutën e 74-t të ndeshjes Tunizi-Japoni, kur topi ngriu në mes të fushës gjatë një aksioni sulmues, duke detyruar arbitrin të ndërpresë lojën dhe të thërrasë ekipin e IT-së.
Në fushë vrapuan dy djem me këmisha me mëngë të shkurtra dhe bexhe të varur në qafë, duke mbajtur një barelë mjekësore dhe 50 metra kabllo type-C.
Procedura e ndreqjes së topit u ndoq hap pas hapi nga regjia. Topi u mor me shumë kujdes nga bari dhe u vendos mbi barelë. Njëri nga inxhinierët nxori një power-bank gjigant dhe e lidhi me kabllon Type-C, ndërsa tjetri hapi një laptop direkt në vijën e jashtme të fushës.
Pas 3 minutave tension, Trionda nisi të jepte sërish shenja jete. Arbitri i ndeshjes e mori nga barela, e goditi dy herë me noçka si të ishte bostan dhe nisi sërish ndeshjen.
“Kërkojmë ndjesë,” u shpreh sot Drejtori i Teknologjisë në FIFA. “Dikush nga çunat e Japonisë në dhomat e zhveshjes i kishte hequr fishën për të karikuar telefonin e vet, prandaj topi nuk u karikua aq sa duhej.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.