TIRANË — Pasi kuptoi që strategjia fillestare për të shitur biletat e koncertit të Ye në Tiranë me çmimin e një qiraje mujore dështoi, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka prezantuar sot “Super-Ofertën e Shekullit”. Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja premtoi se askush nuk do të mbetet jashtë stadiumit, madje edhe nëse nuk duan të shkojnë.
Promovimi i ri funksionon me një logjikë të thjeshtë matematikore, krejt inovative. Çdo qytetar që blen një biletë, do të përfitojë automatikisht 60,000 bileta falas në format PDF, të cilat është i detyruar ligjërisht t’i shpërndajë te të afërmit, komshinjtë dhe kalimtarët e rastit për të mbushur hapësirën.
Për të siguruar që Ye nuk do të mërzitet nga stolat e zbrazët dhe të anulojë koncertin në minutën e fundit, Ministria detyron të zotin e biletës të marrë me vete të gjithë pemën e tij gjenealogjike, përfshirë kushërinjtë e tretë dhe hallën refugjate në Kretë.
Nëse deri ditën e premte kanë mbetur ende bileta pa shitur, ato do të ngjiten automatikisht te faturat e dritave të OSHEE-së si Taksë e Përkohshme për të Mbajtur Ye me të Mirë.
“Ky është inovacion i paprecedentë në menaxhimin e turmave,” shkruan Gonxhja. “Nëse blini një biletë, ne po ju japim fuqinë të mbushni një stadium të tërë. Ju japim biletat për pallatin tuaj, për kolegët e punës, dhe nja 20,000 të tjera t’i mbani në portofol për t’ua dhënë policëve në vend të ryshfetit.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.