TIRANË — Kompania e kateringut ka thyer heshtjen pas skandalit të dytë radhazi, ku 60 kursantë të tjerë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital me urgjencë.
Përmes një komunikate, kompania jo vetëm që ka larë duart nga çdo përgjegjësi ligjore, por ka identifikuar edhe shkakun e vërtetë të kësaj fatkeqësie: oreksin e shfrenuar dhe makutërinë e studentëve, që mos u ngopshin.
Sipas bordit drejtues, ushqimi i shpërndarë në mensë ishte plotësisht i sigurt, por ai u bë toksik në momentin që studentët vendosën ta hanin për të shuar babëzinë e tyre të fëlliqur.
Zëdhënësi i kompanisë sqaroi se 23 vitet e tyre të përvojës bazohen në konceptin e “ngopjes shpirtërore”, gjë që kursantët e policisë nuk po e kuptojnë dot.
“Ne përgatisim 1,000 racione në ditë me qëllim që salla e mensës të duket plot dhe perëndimore,” shkruhet në deklaratë. “Por ky brez i ri ka një defekt të rëndë biologjik: shkojnë në mensë të babëzitur. Ata hidhen mbi pjatën e pilafit dhe të mishit pa asnjë lloj edukate gastronomike. Stomaku i një njeriu që ka uri prodhon lëngje gastrike, të cilat bien në konflikt kimik me ushqimet tona të pasigurta. Po të mos kishin uri, nuk do të helmoheshin.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.