/ Sociale

Rilindja Urbane 2.0: Qytetet do pastrohen nga pleqtë e dominosë

|Nga: Redaksia Lemza
Rilindja Urbane 2.0: Qytetet do pastrohen nga pleqtë e dominosë

TIRANË — Kreu i qeverisë prezantoi projektin e ri, financuar me 110 milionë euro nga Bashkimi Evropian, quajtur Rilindja Urbane 2.0, i cili synon të çlirojë hapësirat publike nga ndotja pamore dhe akustike e moshës së tretë: Pleqtë që luajnë domino nëpër lulishte.

Sipas tij, tavolinat plastike, arkat e kthyera përmbys për t’u ulur dhe përplasja e dhunshme e gurëve të dominosë mbi dërrasë, bien ndesh me vizionin kuratorial të një Shqipërie që aspiron Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Rama ishte i prerë teksa shfaqte në ekran disa pamje me dron të lulishtes te “Tajvani” dhe asaj te “21-dhjetori”, ku dhjetëra pensionistë kacafyteshin në lojëra të nxehta dominoje.

“Duhet t’i kthejmë parqet tona në oaze qetësie evropiane,” deklaroi Rama. “Nuk mund të lejojmë më që turistët e huaj të dëgjojnë britmat tribale: ‘Mbylle lojën, o qorr, se na le me gurë në dorë!’. Këto janë mbetje rurale të një epoke që duhet të vdesë sa më parë.”

Rama shpjegoi se poshtë lulishteve kryesore të qyteteve do të ndërtohen bunkerë të izoluar akustikisht, quajtur “Katakombet e Dominosë”.

“Të moshuarit do të pajisen me një kartë dixhitale për të hapur disa puseta të posaçme nëpër lagje dhe do të zbresin me ashensor drejt tuneleve të thella,” vijoi KM. “Aty, dhjetëra metra nën tokë, ata mund të përplasin dopio gjashtën me sa fuqi të kenë, pa shqetësuar turistët e huaj që shëtisin mbi lëndinat e gjelbra e të heshtura të Rilindjes Urbane.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon