VATIKAN — Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u takua në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Leoni XIV.
Si shprehje e miqësisë dhe respektit të popullit shqiptar, Peleshi i dorëzoi Atit të Shenjtë çelësin e vërtetë drejt jetës së përtejme, teserën e Partisë Socialiste.
Në kartën plastike shkruhej qartë emri “Leone XIV”, i shoqëruar me numrin e regjistrit të degës së PS-së për zonën e Qytetit të Vatikanit.
Peleshi i shpjegoi me ton solemn Atit të Shenjtë se anëtarësimi në Partinë Socialiste ishte hapi i radhës drejt përndritjes hyjnor.
“Shkëlqesi, ne ndajmë të njëjtat vlera themelore,” mësohet t’i ketë thënë Peleshi Papës. “Ju besoni në mrekulli, ashtu siç besojmë ne kur marrim analfabetët e rrugës dhe i bëjmë deputetë. Ju predikoni tolerancën, ashtu siç ne tolerojmë bandat të mbledhin vota me dhunë. Me këtë teserë, dyert e parajsës tanimë janë të hapura dhe për ju.”
Në fund të takimit, Peleshi e ftoi personalisht Papën në Kongresin e radhës të Partisë në Pallatin e Kongreseve, duke i premtuar se do ta vendoste në rreshtin e parë, fiks midis Erion Braçes dhe Belinda Ballukut, “që të ndiente vërtet praninë e shpirtit të shenjtë”.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.