TIRANË — Duke parë që makineria e tij e propagandës, analistët e darkave dhe portalet e sponsorizuar dështuan për javë të tëra të delegjitimonin apo përçanin protestën qytetare, KM Edi Rama ka vendosur të përdorë armën e fundit dhe më të rrezikshme: gudulisjen.
Mbrëmjen e djeshme, në ditën e 27-të të Revolucionit të Flamingove, KM braktisi zyrën e tij, doli në bulevard dhe filloi t’u fuste gishtat nën brinjë protestuesve të rreshtit të parë.
Gjestikulacionet e tij shoqëroheshin me pasthirrma të tipit: “Gili gili gili, kush është i inatosur me qeverinë? Kush do të rrëzojë regjimin, kush? Gili gili gili!”
I pyetur nga gazetarët se çfarë po tentonte të arrinte me këtë akt të paprecedentë, Rama shpjegoi strategjinë e tij të re për përçarjen e lëvizjes qytetare.
“Kam javë që paguaj trollsa, nxjerr ministra nëpër studio dhe bëj postime ironike në Facebook për t’i bërë këta njerëz të duken qesharakë dhe të kthehen në shtëpi,” tha Rama, teksa i zinte pritë një protestuesi me megafon për ta gudulisur te qafa. “Por asgjë nuk funksionoi. Këta ngulin këmbë si mushka. Dhe pata një epifani. Askush nuk thërret dot “Rama n’burg, Berisha n’burg” ndërkohë që po shkrihet së qeshuri nga gudulisja nën brinjë. Është shkencërisht e pamundur.”
Situata në Bulevard u kthye shpejt në kaos. Qytetarët sypatrembur përpiqeshin me çdo kusht të mbanin qëndrimin anti qeveritar, por trupi i tradhtonte posa gishtat e gjatë të KM i preknin nëpër zonat e ndjeshme.
“Rama… hihihi… jepe… hahaha… jepe dorëheqjen o kriminel… hahahaha…” klithi një qytetar, që rrotullohej në tokë prej të qeshurës histerike.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.