/ Kronikë

Aksident rrugor te 21-dhjetori, shkak mosrespektimi i jetës

|Nga: Redaksia Lemza
Aksident rrugor te 21-dhjetori, shkak mosrespektimi i jetës

TIRANË — Kryqëzimi i 21 Dhjetorit ka qenë sërish skena e një aksidenti të rëndë rrugor mesditën e sotme. Sipas raportit paraprak, përplasja erdhi si pasojë e mosrepsektimit të ekzistencës njerëzore.

Ngjarja ndodhi kur dy automjete, një BMW X6 me xhama të zinj dhe një Opel Corsa e vitit 1998 pa frena të kolauduara, u përplasën kokë më kokë me dëshirën e plotë të të dy drejtuesve për t’i dhënë fund jetës së tyre.

Sipas hetimeve paraprake, të dy drejtuesit e kishin marrë me lekë patentën e jetës. Ata kishin dhënë para në dorë për të shmangur testin teorik të rregullave të universit, duke u futur në rrugën e ekzistencës tërësisht të papërgatitur.

Vënë përpara këtij realiteti të ri ku qytetarët po e përdorin trafikun si eutanazi falas, Policia Rrugore pritet të ndryshojë qasjen e saj ndëshkuese. Duke filluar nga muaji i ardhshëm, çdo qytetar do t’i nënshtrohet një kolaudimi shpirtëror të detyrueshëm. 

Ata që kapen me tendenca depresive në timon, apo që injorojnë poezinë e jetës së përditshme, do t’u hiqen pikët e patentës ekzistenciale. Nëse i humbasin të 20 pikët, do të dërgohen në një kurs rikualifikimi gjashtëmujor në zona të thella malore, pa internet, vetëm me një tufë delesh dhe një fyell, për të mësuar rregullat e jetës nga e para.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon