TIRANË — Në kuadër të politikave të reja për kursimin e buxhetit, televizioni kombëtar Top Channel ka shkrirë plotësisht redaksinë e lajmeve.
Në vend të gazetarëve me eksperiencë, zyra e lajmeve i është besuar Kelit, një 3-vjeçar nga Tirana, që ka për detyrë të numërojë protestuesit në Bulevard.
Sipas drejtuesve të televizionit, matematika e një çilimiu me trurin ende të pazhvilluar përputhet 100% me nevojat e propagandës së qeverisë për të minimizuar çdo lëvizje qytetare.
“Kërkonim një figurë të pastër, pa ngarkesa politike, që kur shikon një shesh plot me 30 mijë njerëz, thotë me pastërti fëmijërore, një, dy, tjetëll, baba,” shpjegon me krenari drejtoresha e burimeve njerëzore në Top Channel, Klara Zeshka. “Keli nuk ka huqet e gazetarëve me diplomë. I japim një qese me patatina, një lëpirëse, dhe e lëmë të bëjë punën e vet.”
Ristrukturimi ka sjellë një frymëmarrje të madhe financiare për Top Channel. Buxheti për rrogat e gazetarëve është zëvendësuar me tre pako pampersa në muaj dhe dy kuti me pure banane.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.