TIRANË — Ndërsa pjesa tjetër e deputetëve u përballën me protestuesit në dalje të godinës së Parlamentit, deputeti socialist Erjon Braçe arriti të shmangë turmën me një lëvizje gjeniale.
Dëshmitarët nga vendngjarja treguan se në momentin kur vezët nisën të fluturonin drejt deputetëve, zoti Braçe u hodh në tokë dhe u fut direkt nën gjysmën e guaskës së plasur në tokë..
“Ishte një operacion perfekt kamuflazhi,” u shpreh një nga oficerët e sigurisë së Parlamentit. “Në fillim menduam se deputeti Braçe u zhduk ose u mor zvarrë nga turma. Pastaj pamë një guaskë veze mbi trotuar. Kur e ngritëm me kujdes, zoti Braçe ishte ulur aty brenda në pozicion këmbëkryq, dhe po shkruante një status të gjatë në Facebook për spekuluesit e qumështit në Lushnjë*.”*
Sipas raportit teknik, për një deputet me përmasat e zotit Braçe, një vezë e Kategorisë A ofron të njëjtën hapësirë dhe mbrojtje si një bunker i kohës së komunizmit.
I pyetur për një koment mbi këtë ngjarje, vetë Braçe e pranoi se kjo ishte një fitore e bujqësisë vendase mbi destabilizimin.
“Kjo tregon se produktet tona kanë cilësi të lartë strukturore. Unë nuk kam nevojë për makina të blinduara 400 mijë euro e as për truproja dy metra të gjatë që më zënë diellin. Mua më mjafton një pulë e mirë Divjake dhe jam i sigurt nga çdo revolucion,” tha deputeti teksa nxirrte kokën me kujdes nga guaska për të parë nëse kishte ikur turma.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.