TIRANË — Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë mëngjesin e sotëm në vetë zyrat e tyre. Me maska të zeza dhe armë në duar, ata kanë shqyer dyert e prokurorëve të Posaçëm, duke shpallur zyrtarisht nisjen e hetimeve ndaj vetë strukturës së SPAK-ut.
Ekzistojnë dyshime të forta se SPAK ka bashkëpunuar ngushtë me zyrtarët e lartë, duke përdorur një skemë tepër të sofistikuar kriminale të quajtur: “Bëjmë sikur nuk shohim”.
Operacioni, i koduar “Pasqyra”, ka nisur në orën 06:00. Agjentët e BKH-së kanë sekuestruar kompjuterët dhe sirtarët e kolegëve të tyre që kishin tavolinën ngjitur. Situata ka marrë përmasa edhe më absurde kur një nga prokurorët e lartë është parë në banjën e institucionit duke marrë ashpër në pyetje veten e tij para pasqyrës.
“Kush të ka paguar të mos veprosh? Pse po i vonon hetimet për koncesionet?” dëgjohej të bërtiste prokurori duke i rënë lavamanit me grusht. Pasi pasqyra nuk pranoi të bashkëpunonte, prokurori firmosi një masë “detyrim paraqitjeje” për veten e tij.
Zëdhënësi i operacionit deklaroi për mediat se ata kishin kohë që dyshonin se diçka nuk shkonte. “Krijuam një task-forcë për të gjetur se kush po i mbronte peshqit e mëdhenj. Pas gjashtë muajsh hetime intensive dhe përgjime të kamerave të sigurisë, zbuluam me tmerr se po i mbronim ne vetë!”
Pasi prokurorët e SPAK formuluan akuzën ndaj prokurorëve të SPAK (pra, ndaj vetes), ata vendosën që t’ia kalojnë dosjen për shqyrtim Gjykatës së Posaçme. Por gjyqtarët e GJKKO-së e kthyen mbrapsht dosjen, me argumentin se prokurorët që kanë ngritur akuzën janë po të njëjtët prokurorë që po hetohen, duke krijuar kështu një paradoks që rrezikon të shkatërrojë reformën në drejtësi.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.